KËSHILLA / E Martë 23 Prill 2019, 23:11

Nga kastraveci tek uthulla e mollës, ja si mund ta qetësoni menjëherë lëkurën e irrituar pas depilimit me brisk

Një nga ankthet më të mëdha të shumë femrave, mes shumë të tjerave, është edhe depilimi, sidomos kur nuk shkon ashtu siç do të donit.  Një prerje e vogël me brisk apo tërheqja nga ana e gabuar e strishës së dyllit lënë shenjë menjëherë mbi lëkurë, pa harruar këtu irritimin dhe skuqjen e kësaj të fundit, qimet e rritura nën lëkurë dhe ndjesinë e djegies, të cilat shkaktojnë ndjesi paniku tek çdokush. Mos u shqetësoni është diçka që zgjidhet menjëherë, mjafton të ndiqni trajtimet e mëposhtme:

TRAJTIM ME VAJ ULLIRI DHE VAJ RIGONI

Kombinimi i vajit të ullirit me vajin e rigonit është një ndër trajtimet natyrale më efektive, që duhet të provoni sa herë keni lëkurë të irrituar dhe qime të futura në lëkurë. Përveçse janë të pasur me acide yndyrore Omega 3 që hidratojnë lëkurën, dy vajrat e mësipërm kanë në përmbajtjen e tyre përbërës me veti antibakteriale dhe antimykotike, që trajtojnë në kohë rekord çdolloj inflamimi të lëkurës. Nuk ka ndonjë formulë specifike, mjafton të përzieni një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle vaj rigoni, dhe të lyeni lëkurën.

TRAJTIM ME UTHULL MOLLE

Jemi mësuar ta përdorim uthullën e mollës në gatim apo edhe në trajtime të ndryshme bukurie për flokët, fytyrën dhe infeksionet mykotike të thonjve, mirëpo veprimi i saj është 100% efektiv edhe në rastin e ndonjë irritimi gjatë apo pas depilimit. Uthulla e mollës ka me shumicë përbërës antibakterialë që reduktojnë inflamimin dhe skuqjen e lëkurës. Kujdes: Nuk duhet aplikuar direkt mbi lëkurë, por e tretur me pak ujë të vakët.

TRAJTIM ME KASTRAVEC

Përveç vitaminave dhe mineraleve, kastraveci përbëhet nga rreth 90% ujë çka e bën në një prej hidratuesve më të mirë të lëkurës, si dhe trajtimeve qetësuese më të mira për lëkurën e irrituar. Ky trajtim është më se i këshillueshëm në rast se keni skuqje dhe djegie të lehta në zonën e sqetullave, ose fytyrës. Mjafton të fusni një kastravec në frigorifer, ta prisni në feta dhe ta vini në lëkurë për disa minuta. Freskia e tij do t'ju bëjë të ndiheni shumë më mirë.

Loading...